Secondary Adv

Qeveria propozon platformë të re transparence, akses privat në të dhënat shtetërore dhe cloud

Projektligji për qeverisjen elektronike parashikon platformën “Pasqyra Albania”, akses të tarifuar për bizneset në të dhënat shtetërore dhe zgjerimin e shërbimeve cloud.

Qeveria shqiptare synon të krijojë një platformë të re digjitale për transparencën e projekteve publike dhe ndjekjen e ankesave të qytetarëve, ndërsa sektori privat mund të përfitojë akses në bazat shtetërore të të dhënave kundrejt tarifave të përcaktuara. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu zgjerimin e përdorimit të teknologjisë cloud në infrastrukturën digjitale të institucioneve publike.


Këto masa përfshihen në projektligjin “Për qeverisjen elektronike”, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të publikuar për konsultim publik. Nisma synon të ndërhyjë në tri fusha kryesore të administrimit digjital: transparencën dhe komunikimin me qytetarët, ndërveprimin e sistemeve shtetërore me subjektet private dhe modernizimin e infrastrukturës teknologjike.


“Pasqyra Albania”, platforma e re për transparencën e projekteve publike


Një nga ndryshimet kryesore është krijimi i bazës ligjore për platformën “Pasqyra Albania”, e përcaktuar në projektligj si “platforma kombëtare për transparencën dhe komunikimin me qytetarët”.


Përmes saj, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi të aksesojnë dokumentacionin publik, të ndjekin ecurinë e projekteve shtetërore dhe të gjurmojnë statusin e kërkesave apo ankesave të paraqitura pranë institucioneve.


Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, aktualisht informacioni mbi projektet publike, përfshirë financimin, afatet dhe fazat e realizimit, publikohet në burime të ndryshme ose nuk është i disponueshëm në mënyrë të strukturuar.


“Informacioni mbi statusin e çështjes ndodhet i shpërndarë në sisteme të ndryshme institucionale, shpesh i paaksesueshëm për personin e interesuar”, thuhet në relacion, duke iu referuar problematikave që hasin qytetarët gjatë ndjekjes së kërkesave dhe ankesave të tyre.


Platforma e re parashikohet të ndërveprojë me sistemet ekzistuese qeveritare, pa krijuar regjistra të rinj. Zhvillimi dhe mirëmbajtja e saj do të realizohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), drejtpërdrejt ose nëpërmjet shoqërive operatore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK).


Bizneset do të paguajnë për aksesin në të dhënat shtetërore


Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me zgjerimin e mundësive të sektorit privat për të përdorur të dhënat që administrohen nga institucionet shtetërore.


Projektligji parashikon zgjerimin e funksionit të platformës qeveritare të ndërveprimit, duke i ngarkuar AKSHI-t përgjegjësinë për të mundësuar lidhjen teknike të subjekteve private me sistemet shtetërore, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin përkatës.


Ndryshe nga shërbimet që ofrohen për institucionet publike, aksesi i subjekteve private do të jetë i tarifuar, pasi parashikohet të përdoret për veprimtari ekonomike me qëllim fitimi.


“Duke qenë se aksesi i subjekteve private shërben për veprimtari me qëllim fitimi, projektligji parashikon që ai të jetë i tarifuar dhe që të ardhurat të derdhen në buxhetin e shtetit”, thekson relacioni.


Llojet dhe niveli i tarifave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Deri në këtë fazë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit nuk ka paraqitur një vlerësim të të ardhurave që mund të gjenerohen nga ky mekanizëm.


Ndërkohë, kushtet e aksesit dhe rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale trajtohen në projektligjin shoqërues për bazat e të dhënave shtetërore. Për rrjedhojë, mundësia e lidhjes teknike nuk nënkupton akses të pakufizuar në informacionin që administrohet nga institucionet publike.


Zgjerohet përdorimi i teknologjisë cloud në sistemet qeveritare


Projektligji parashikon gjithashtu modernizimin e infrastrukturës qeveritare të hostimit, duke njohur shprehimisht përdorimin e infrastrukturës virtuale dhe shërbimeve cloud computing në Qendrën e të Dhënave Qeveritare dhe Qendrën e Vazhdueshmërisë së Punës.


Ky ndryshim synon të përshtatë kuadrin ligjor me mënyrën se si funksionojnë infrastrukturat moderne të teknologjisë së informacionit, të cilat mbështeten gjithnjë e më shumë në virtualizimin e sistemeve dhe shërbimet cloud.


“Sot, infrastrukturat moderne bazohen në platforma virtualizimi dhe në shërbime cloud”, thuhet në relacionin shoqërues, ku theksohet se shumë teknologji të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, ofrohen kryesisht në këtë formë.


Megjithatë, detyrimi ligjor për ruajtjen e të paktën një kopjeje të të dhënave shtetërore brenda territorit të Shqipërisë mbetet i pandryshuar.

Kjo do të thotë se zgjerimi i përdorimit të teknologjisë cloud nuk ndryshon kërkesën ekzistuese për mbajtjen e një kopjeje të të dhënave shtetërore në territorin shqiptar.


Ndryshimet parashikohen pa kosto shtesë për buxhetin


Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të realizohet brenda fondeve ekzistuese, pa krijuar struktura të reja institucionale apo shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit.


Administrimi teknik i platformës së transparencës dhe mundësimi i ndërveprimit me subjektet private do të mbështeten në infrastrukturën dhe kapacitetet ekzistuese të AKSHI-t.


Projektligji ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik, ndaj krijimi i platformës “Pasqyra Albania”, vendosja e tarifave për aksesin privat dhe ndryshimet në përdorimin e shërbimeve cloud mbeten masa të propozuara, të cilat duhet të ndjekin procedurat përkatëse ligjore përpara zbatimit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat